Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar gjatë natës në Krujë, ku është dëmtuar një automjet tip Fiat në pronësi të shtetasit Dervish Guni.
Sipas informacioneve paraprake, lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e kofanos së automjetit, ndërsa nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë, në të cilat shfaqet një person i veshur me rroba të errëta, i cili dyshohet se ka vendosur lëndën plasëse dhe më pas është larguar në këmbë.
Pronari i automjetit ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd dhe se nuk ka dijeni për arsyet e ngjarjes. Megjithatë, grupi hetimor po verifikon disa pista, mes tyre edhe një konflikt të mundshëm pronësie, ndërsa dyshohet se sasia e vogël e lëndës plasëse mund të jetë përdorur si mesazh paralajmërues.



