KRUJË- Tre projektvendime janë përfshirë në rendin e ditës së Këshillit Bashkiak të Krujës, ku propozohet dhënia në përdorim e tre sipërfaqeve të fondit pyjor publik në zonën e Tërkuzë-Drojës, për sheshe depozitimi dhe aktivitete pushimi e argëtimi, në kuadër të zbatimit të Paketës së Maleve.
Sipas dokumentit, tre projektvendimet parashikojnë dhënien në përdorim, për një afat 10-vjeçar, të sipërfaqeve të fondit pyjor publik në zonën e Tërkuzë-Drojë, për qëllime zhvillimi.
Konkretisht:
7 077 m² fond pyjor publik propozohet të jepet në përdorim për shesh depozitimi në parcelat nr. 9 dhe 10 të ekonomisë pyjore Tërkuzë-Drojë.
5 100 m² fond pyjor publik propozohet të jepet në përdorim, po për shesh depozitimi, në parcelat nr. 13 dhe 14 të së njëjtës zonë.
Një sipërfaqe prej 7.07 hektarësh fond pyjor publik propozohet të jepet në përdorim për qëllime pushimi dhe argëtimi, në parcelat nr. 4, 17, 18 dhe 19 të ekonomisë pyjore Tërkuzë-Drojë.
Tre projektvendimet janë pjesë e rendit të ditës së Këshillit Bashkiak dhe pritet të diskutohen e të votohen gjatë mbledhjes së radhës.




