Klubi Sportiv Kastrioti
KS Kastrioti, është klub futbollistik shqiptar nga Kruja, Shqipëri. Aktualisht Kastrioti militon në Kategorinë e Parë, në grupin e Veriut. Ndeshjet në shtëpi Kastrioti i luan në Stadiumin “Kastrioti” që ka një kapacitet prej mbi 8.000 vendesh. KS Kastrioti është SH.A ku 75 % janë donatorë privat dhe 25 % e ka Bashkia e Krujës.
Klubi është themeluar në vitin 1926. Pasi u shpërbë përkohësisht në 1949 klubi u rithemelua përsëri në këtë vit nën emrin Krujë. Dy vite më vonë klubi u riemërua Puna Krujë dhe më 1958 ju vendos emri i mëparshëm Krujë. Që prej viteve 90 klubi ka ndërruar shpesh vendet midis Superligës, Kategorisë së Pare dhe Kategorisë së Dytë. Në sezonin 2008-2009 Kastrioti u ngjit në Superligë dhe militoi në këtë kategori deri më 2013. Pastaj do jetë në kategorinë e parë, ku luan edhe sot, me pretendimet për tu ngjitur sërisht ne Superligën Shqiptare.
Që prej Verës 2011 F.K Kastrioti është kthyer në Sh.A. Investimet e menjëhershme të bëra nga presidenca e re si në infrastrukturë ashtu edhe në afrimin e lojtarëve cilësorë dhe të mirënjohur në Shqipëri janë të dukshëm dhe kanë filluar të japin frytet e tyre. Kastrioti, momentalisht ndodhet në pozicionet e para të rënditjes në kategorinë e Parë. . Në përgjithësi në klub është futur një frymë e re dhe optimiste e iniciuar nga investimet e bëra në strukturat e klubit. KS Kastrioti ka si objektiv të behet një nga klubet më të mira të vendit.
Kastrioti nuk ka fituar asnjëherë Superligën ose Kupën e Shqipërisë por ka fituar nga një herë titullin kampion ne Kategorinë e Parë dhe Kategorinë e Dytë.
Rezultatet më të mira Ekipi i Kastriotit i arriti në vitin 2012 ku shkoi në gjysëm-finalet e Kupës së Republikës dhe zuri vendin e 4-t në klasifikimin e Superligës Shqiptare.

Klubi Sportiv Iliria
Është Klubi i Njësisë Administrative të Fushë Krujës, pjesë e Bashkisë Krujë. Ky klub është themeluar në vitin 1991, në sajë të dëshirës së sportdashësve të qytetit të Fushë Krujës dhe zonave përreth.
Ekipi i Ilirisë, është në pronësi të Bashkisë Krujë dhe çdo vit Bashkia jep një pjesë te Buxhetit për këtë ekip. Historia e ekipit të Ilirisë është e ndarë mes kategorisë së Parë dhe të dytë, e aktualisht luan ne Kategorinë e Parë bashkë me ekipin e Kastriotit, duke dhënë emocionet e bukura të Derbit të Krujës.

