KRUJË – Policia e Krujës ka finalizuar operacionin e koduar “Mukja”, në kuadër të goditjes së kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi N. Z., 31 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, J. M., 43 vjeç, të dy banues në fshatin Mukaj.
Sipas Policisë, në një zonë pyjore të fshatit Mukaj u zbuluan dhe u asgjësuan 42 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, ndërsa në vendngjarje u sekuestruan edhe 600 gramë lëndë e dyshuar kanabis.
Policia vijon punën për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



