KRUJË- Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka ashpërsuar tonet ndaj figurave brenda PD-së, teksa komentoi zhvillimet e fundit në partinë opozitare dhe garën për drejtimin e saj.
I ftuar në një emision televiziv, Salianji u ndal edhe te largimi nga lëvizja e nisur prej tij i figurave si Ilir Alimehmeti dhe Aulon Kalaja, ndërsa lëshoi deklarata të forta për situatën në PD.
“Po nuk ikën këta që nga roje koteci, nuk fiton dot”, u shpreh Salianji, një deklaratë që u interpretua si sulm i drejtpërdrejtë ndaj figurave që, sipas tij, pengojnë ndryshimin brenda partisë.
Ai deklaroi gjithashtu se shumica e demokratëve janë të pakënaqur me drejtimin aktual të Partisë Demokratike dhe pretendoi se, nëse votimi do të ishte i fshehtë, kundërshtitë ndaj Sali Berisha do të ishin shumë më të mëdha.
Deklaratat e Salianjit vijnë në një moment tensionesh të vazhdueshme brenda opozitës, ku debatet dhe ndarjet mes grupeve të ndryshme në PD vijojnë të jenë të forta.



