KRUJË– Policia ka arrestuar një 22-vjeçar nga Krujë, i dyshuar si i përfshirë në grabitjen me dhunë të një argjendarie në Kamëz.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për shtetasin E.H., 22 vjeç, ndaj të cilit janë kryer veprime intensive hetimore pas ngjarjes së ndodhur më 16 maj 2026, ku nën kërcënimin e armës u vodh një sasi bizhuterish në një argjendari në pronësi të shtetasit O.L.
Nga hetimet paraprake dyshohet se i riu ka qenë i implikuar në këtë vjedhje, ndërsa gjatë operacionit janë sekuestruar edhe disa sende të kundërligjshme, të vlefshme për hetimin.
Policia bën me dije se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit tjetër, si dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.



