KRUJË- Një 21-vjeçar nga fshati Mafsheq i Krujë është arrestuar nga Policia në kuadër të operacionit të koduar “Rada”.
Sipas Policisë, Marvin Ferra dyshohet se më 19 qershor, rreth orës 02:30, i maskuar dhe me armë zjarri automatike, ka hyrë në oborrin e një banese në fshatin Radë të Durrës me qëllim vjedhjen.
Gjatë operacionit për kapjen e tij, i riu ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe vënë në pranga nga shërbimet e Policisë në zonën e Krujës.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij, Policia ka sekuestruar dy armë zjarri, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në vijim të hetimeve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.



