Gryka e Vajës ruan prej shekujsh legjendën e 90 vajzave krutane, të cilat u vetësakrifikuan për të mos rënë në duart e pushtuesve osmanë. Këtij rrëfimi i kushtohet instalacioni artistik “Thirrja e Gurit”, që sjell në vëmendje një nga legjendat më të njohura të trashëgimisë kulturore të Krujës.
Pamje e Grykës së Vajës. Foto: Media Amfora
Rreth 3 kilometra në lindje të Krujës, përgjatë rrugës që të çon në Parkun Kombëtar të Qafë-Shtamës, ndodhet Gryka e Vajës, një zonë me status Monument Natyre. E formuar nga veprimi shumëvjeçar i ujërave të Lumit të Drojës mbi shkëmbinjtë gëlqerorë, ajo krijon një nga peizazhet më karakteristike të zonës. Përveç vlerave natyrore, Gryka e Vajës njihet edhe për legjendën e 90 vajzave krutane, një rrëfim i ruajtur në traditën dhe i përcjellë brez pas brezi si pjesë e kujtesës kulturore të Krujës. Në hyrje të grykës ndodhet monumenti “Shkëmbi i Vajës”, i ngritur nga populli krutan në nderim të 90 vajzave, të cilat, sipas legjendës, u hodhën nga shkëmbi më 16 qershor 1478 për të mos rënë në duart e ushtrisë osmane pas rënies së Krujës.

Pranë monumentit është vendosur një tabelë informuese që u shpjegon vizitorëve historinë e “Shkëmbit të Vajës”. Sipas saj, monumenti u ngrit nga populli krutan në nderim të 90 vajzave, ndërsa emri i vendit lidhet me vajtimin e nënave për bijat e tyre. Tabela e paraqet këtë rrëfim si pjesë të trashëgimisë së pasur dhe identitetit historik të Krujës.

Më 15 qershor u inaugurua instalacioni artistik “Thirrja e Gurit – Legjenda e Grykës së Vajës”. Vepra është realizuar nga artisti Klodian Luca, mbi konceptin e Besiana Shehit, si pjesë e projektit “Heritage is Our Brand”. Projekti është financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Organizata për Menaxhimin e Destinacionit Turistik në Shqipëri (DMO Albania), në bashkëpunim me Forumin e Politikave të Integrimit (EU Policy Hub), me synimin për të promovuar trashëgiminë kulturore përmes artit bashkëkohor.

Vendosja e instalacionit e pasuron Grykën e Vajës me një dimension të ri interpretues, duke e kthyer legjendën në një përvojë të prekshme për vizitorët. Projekti synon të nxisë njohjen e trashëgimisë jomateriale dhe ta bëjë atë pjesë të itinerareve kulturore të zonës. Në këtë mënyrë, një histori e ruajtur për shekuj në traditën që vazhdon të përcillet edhe përmes artit dhe interpretimit bashkëkohor.

Sot, Gryka e Vajës mbetet një nga pikat ku ndërthuren natyra, tradita dhe trashëgimia e pasur e Krujës. Përmes instalacionit “Thirrja e Gurit” dhe peizazhit karakteristik të zonës, vizitorët kanë mundësinë të njihen me një nga legjendat më të njohura të qytetit, e cila vazhdon të përcillet brez pas brezi si pjesë e kujtesës së komunitetit. ”
©️Media Amfora



