LEZHË- Një ngjarje e rëndë ka tronditur këtë të premte Fushë-Krujë dhe Lezhë, ku dy vajza të mitura humbën jetën në plazhin e Tales.
Viktimat janë identifikuar si Jonida Dajlani, 9 vjeçe dhe Adelajda Misha, 11 vjeçe, të dyja banuese në Fushë-Krujë. Sipas informacionit paraprak, ato kishin hyrë në det për t’u larë, por janë rrëmbyer nga dallgët dhe nuk kanë mundur të dalin më në breg.
Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë Kufitare dhe efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, ndërsa në kërkime janë përfshirë edhe pushues të pranishëm në zonë.
Trupat e pajetë të dy të miturave janë gjetur disa metra larg vijës bregdetare dhe janë nxjerrë në breg nga forcat policore me ndihmën e qytetarëve.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:50 në plazhin publik të Tales, ndërsa autoritetet po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie.



