KRUJË- Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zhvilluar një aksion blic në burgun e Fushë-Krujë, në kuadër të masave për forcimin e sigurisë dhe disiplinës në institucionet penitenciare.
Kontrolli i befasishëm u drejtua nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, së bashku me Drejtorin e Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta. Ata inspektuan ambientet e institucionit për rreth dy orë, nga ora 17:30 deri në 19:30.
Gjatë operacionit u konstatuan dhe u sekuestruan 3 telefona celularë, 3 ora/telefon, mjete të improvizuara të mprehta, si edhe sende të tjera të palejuara brenda ambienteve të burgut.
Sipas autoriteteve, kontrollet do të vijojnë edhe në institucionet e tjera të vuajtjes së dënimit, me fokus parandalimin e paligjshmërisë dhe garantimin e rendit dhe sigurisë.



