TIRANË– Policia e Tiranës ka arrestuar këtë të martë një 31-vjeçar, në kuadër të operacionit të koduar “Stacioni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Policia bazuar dhe në të dhënat e grumbulluara në rrugë operative, se një shtetas posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Stacioni”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– F. B., 31-vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike në sasi 500 gramë deri në 2 kg, në qytetin e Durrësit, e ndante në porcione të vogla, të cilat më pas i shiste në zonën e “Don Boskos”, në rrugën “Mine Peza” dhe në afërsi të Zogut të Zi, kundrejt vlerës 8000 lekë të rinj një dozë me kokainë. 31-vjeçari, lëvizjet nga Durrësi në Tiranë, i bënte me transport publik, ndërsa brenda Tiranës lëvizte me këmbë, që të ushtronte aktivitetin e tij pa u pikasur nga shërbimet e Policisë.
Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

