KRUJË- Më shumë se 20 persona janë shoqëruar në komisariatin e Krujës, në lidhje me atentatin e djeshëm në mbikalimin e Fushë-Krujës ku mbetën të vrarë tre persona.
Sipas medieve, të shoqëruarit mendohet se kanë dijeni në lidhje me atentatin ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Arbër Hoxha. Deri më tani dihet që 4 persona kanë qenë atentatorët të cilët u kanë prerë rrugën viktimave, dhe kanë zbrazur në drejtim të tyre të paktën një breshëri kallashnikovi prej 50 plumbash.
Pas ngjarjes autorët janë larguar në drejtim të paditur, ndërkohë që policia ka dhënë një shpërblim prej 3 milion lekësh të reja për ata që japin informacion në lidhje me ngjarjen. Pak minuta pas atentatit një automjet u gjet i djegur në fshatin Larushk të Krujës, dhe dyshohet të ketë qenë automjeti i përdorur në atentat.
Të tre viktimat kanë qenë me prece4dent të mëparshëm penal, në fushën e krimit ndaj personit.
Brilant Martinaj, 23 vjeç, banues në Fushë-Kuqe ishte me precedent kriminal, i dyshuar për veprën penale “vrasja e kryer në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje.” Kujtojmë që Brilant Martinaj është kushëriri i Ervis Martinajt.
Ai dyshohet se ka qenë autor i vrasjes së efektivit të FNSH, Xhuliano Prela ngjarje e ndodhur në 2020.
Martinaj ka qenë edhe mik i ngushtë me reperin e njohur, Stresi.
Diklen Vata, 30 vjeç njihej si person me precedent penal, kishte lidhje të afërt shoqërore me Brilant Martinaj dhe pjesëtar i grupit kriminal të Ervis Martinajt.
Arbër Hoxha, 34 vjeç, nga Fushë-Kuqe kishte lidhje të afërta shoqërore me Brilant Martinaj.
Ky i fundit dyshohet si autor i ekzekutimi të efektivit të FNSH-së Xhuliano Prela në dhjetor 2020 dhe ish-policit Xhelal Reçi më 1 nëntor 2021.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

