
KRUJË- Pas atentatit me 3 viktima në mbikalimin e Fushë-Krujës, Policia e Shtetit ka vënë dëmshpërblim për këdo që ka informacion për autorët.
Policia bëri të ditur se kush ka informacion, do të paguhet 30 milion lekë të vjetra dhe do ti sigurohet fshehtësi e plotë dhe e sigurtë.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit Në kuadër të veprimeve që strukturat hetimore të Policisë së Shtetit po kryejnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Fushë Krujë ku mbetën të vrarë me armë zjarri tre shtetas, si dhe në zbatim të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano gjatë takimit me krerët e DVP Durrës e Tiranë dhe të Departamentit të Policisë Kriminale, për zbardhjen sa më parë të ngjarjes, grumbullimin e informacionit nga qytetarët apo dëshmitarët që mund të kenë parë ngjarjen apo kanë dijeni për autorët, ju informojmë se:
Policia e Shtetit ka vënë menjëherë në dispozicion për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, 3 milionë lekë të rinj. Cilido që ka informacion të vlefshëm ta dërgojë në numrin e telefonit 069 41 10 853, i cili ka të disponueshëm edhe aplikacionin ëhatsApp, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe të sigurtë. Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me strukturat policore në interes të rritjes së parametrave të rendit e sigurisë dhe të parandalimit të ngjarjeve kriminale që cënojnë jetën dhe pronën e qytetarëve.
Pasditen e sotme, tre persona janë vrarë në një atentat në mbikalimin e Fushë-Krujës. 4 dyshohet se ishin atentatorët të cilët kanë qenë të maskuar, njëri prej tyre drejtues i mjetit i cili më pas u gjet i djegur tërësisht në fshatin Larushkë. Viktimat janë: Brilant Martinaj, Diklon Vata dhe Besmir Hoxha. Vata doli jashtë mjetit po u ekzekutua me breshëri plumbash, dy të tjerët u dogjën brenda mjetit. Tek makina e autorëve, identike me atë të viktimave, janë gjetur 1 armë automatike MP5 dhe 2 kallashnikovë.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."