TIRANË– Ditën e djeshme Federata Shqiptare e Futbollit ka anuluar ndeshjen mes Kastriotit dhe Bylisit e vlefshme për javën e 28 të Superligës.
Arsyeja sipas FSHF-së ka ardhur pasi arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar me jetë dhe asnjëri nga gjyqtarët nuk ka pranuar të marrë përsipër organizimin e ndeshjes.
Për këtë çështje janë vënë në dijeni edhe organet kompetente të cilat po hetojnë atë që ka ndodhur.
“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të informojë komunitetin e futbollit dhe opinionin publik se ndeshja Kastrioti-Bylis e planifikuar për t’u zhvilluar ditën e sotme në stadiumin e Kamzës nuk do të zhvillohet. Ditën e djeshme arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar dhe kjo ngjarje është duke u hetuar nga organet kompetente. Federata e Futbollit është njohur me vendimin e të gjithë klasës arbitrale, që nuk pranon të marrë përsipër drejtimin e ndeshjeve të Klubit Kastrioti për shkak të presioneve dhe shantazheve të vazhdueshme. Një javë më parë, në ndeshjen Kastrioti-Laçi arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar me jetë dhe janë detyruar të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit. Të ndjerë vazhdimisht të kërcënuar zyrtarët kanë pasur frikë të deklarojnë me shkrim apo të denoncojnë ngjarje të tilla. Të gjendur në këtë situatë, FSHF bën me dije se do të presë deri në fund zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme dhe do të marrë vendimet e duhura për të siguruar ambientin e sigurt në panoramën futbollistike shqiptare.”- thuhet në deklaratën për shtyp të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Kastrioti reagoi menjëherë duke e quajtur fillimisht një ‘histori të shëmtuar’ dhe shtoi se ‘distancohet nga këto ngjarje’, duke kërkuar edhe hetimin nga autoritet.
Klubi krutan ndër të tjera tha se ‘këto akuza prishin imazhin e klubit dhe mbi të gjitha të futbollit shqiptar’. Kastrioti bën thirrje që çështja të zbardhet sa më shpejt.
“REAGIM: Pas njoftimit zyrtar nga Federata Shqiptare e Futbollit për shtyrjen e ndeshjes Kastrioti-Bylis për një datë të pacaktuar, ku në njoftimin e mbërritur deklarohet që arbitrat janë kërcënuar, klubi Kastrioti është i detyruar të dalë me këtë reagim. Ne si klub distancohemi nga këto akuza dhe bëjmë thirrje organeve kompetente që të zbardhin sa më shpejt këtë histori të shëmtuar, e cila prish imazhin e klubit tonë, por dhe të futbollit shqiptar në përgjithësi. Në deklaratën e Federatës Shqiptare thuhet që edhe në ndeshjen e javës së kaluar midis Kastriotit dhe Laçit arbitrat paskan qenë të detyruar që nga kërcënimet të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit. Ne jemi të gatshëm të përballemi me realitetin dhe i bëjmë thirrje organeve kompetente të marrin masa të menjëhershme dhe të zbardhin të vërtetën për këtë akuzë të rëndë. KS Kastrioti distancohet në mënyrë kategorike nga çdo lloj ngjarje që njollos lojën e bukur të futbollit.”
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

