KRUJË- Policia e Tiranës dhe e Krujës ka vijuar operacionin kundër kultivimit të bimëve narkotike në zonat malore të Krujës, ku deri më tani janë zbuluar dhe asgjësuar rreth 5 mijë rrënjë kanabis.
Sipas informacioneve paraprake, bimët narkotike ishin kultivuar në afro 100 parcela të ndryshme, me nga 50 deri në 100 bimë secila. Parcelat janë zbuluar gjatë kontrolleve intensive të zhvilluara në terren nga forcat e policisë.
Deri në këtë fazë nuk raportohet për persona të arrestuar, por autoritetet kanë identifikuar disa persona të dyshuar si posedues dhe administratorë të parcelave, të cilët janë shpallur në kërkim.
Në operacion janë angazhuar 15 grupe policore, ndërsa kontrollet pritet të vijojnë edhe në ditët e ardhshme me qëllim identifikimin dhe vënien përpara drejtësisë të personave të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.



