KURBIN- Një 40-vjeçar nga Krujë ka rënë në prangat e Policisë në kuadër të operacionit antikanabis të koduar “Vigjilenca 2”, të zhvilluar në fshatin Fushë Gjormë të Kurbin.
Sipas Policisë, gjatë kontrolleve në terren u zbuluan 1820 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Në flagrancë u arrestua shtetasi N.Xh., 40 vjeç, banues në Krujë, i dyshuar për kultivimin e bimëve narkotike. Ndërkohë, është shpallur në kërkim edhe një tjetër person, i identifikuar si A.K., 54 vjeç, banues në Fushë Milot, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi dy automjete, një telefon celular dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.



