KRUJË- Është ndarë nga jeta në mënyrë të parakohshme Shkëlzen Topçiu, një prej punonjësve me kontribut të spikatur në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore në vend.
Për shumë vite, Topçiu shërbeu pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Tiranë, duke kontribuar në restaurimin dhe mirëmbajtjen e monumenteve të rëndësishme historike. Puna e tij lidhet ngushtë me objekte të njohura të trashëgimisë kulturore, si Kalaja e Krujës, Banesa e Libohovitëve, Tyrbja e Nuses, Kalaja e Bashtovës dhe monumente të tjera në mbarë vendin.
I njohur si një mjeshtër i aftë i gurit, ai la gjurmë të veçanta në restaurimin e mureve, kalldrëmeve dhe strukturave tradicionale, duke kontribuar në ruajtjen e identitetit historik të shumë monumenteve.
Përveç angazhimit profesional, Shkëlzen Topçiu ishte i lidhur ngushtë me historinë e Krujës dhe njihej për pasionin me të cilin promovonte vlerat kulturore të qytetit tek vizitorët dhe turistët.
Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje jo vetëm për familjen dhe të afërmit, por edhe për komunitetin e trashëgimisë kulturore, ku ai la pas një kontribut të çmuar dhe të qëndrueshëm.



