FUSHË-KRUJË- Një aksident i rëndë është shënuar mesditën e sotme në superstradën Fushë-Krujë – Milot, në afërsi të Thumanës, ku ka humbur jetë një person dhe dy të tjerë janë plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Mercedes”, me drejtues Radvan Maja, banues në Borizanë, është përplasur me një automjet tjetër tip “Volkswagen Passat”, i drejtuar nga Ndrecë Ruci, nga Mirdita.
Si pasojë e përplasjes së fortë, pasagjerja Tereze Laska, ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra, ndërsa drejtuesi i “Passatit” Ndrecë Ruci, ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Gjithashtu bëhet me dije se, nga aksidenti është lënduar edhe një grua e cila ndodhej në ambientin e biznesit të saj pranë vendngjarjes. Ajo është goditur nga pjesë të shkëputura të automjetit “Passat” dhe është dërguar për mjekim.
Shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë një manovër e gabuar parakalimi nga “Passat”-i dhe shpejtësia e lartë e automjetit tjetër, por hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.
