KRUJË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, zhvilloi një takim pune me efektivat e Komisariatit të Policisë në Krujë, në prani të ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.
Gjatë takimit, Hita kërkoi rritje të profesionalizmit dhe forcim të punës për sigurimin e informacionit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe identifikimin e financuesve dhe trafikantëve të kanabisit.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e luftës kundër armëmbajtjes pa leje dhe krimeve mjedisore, si dhe kërkoi ndjekje të vazhdueshme të shqetësimeve të qytetarëve.
Në përfundim, Drejtori i Policisë kërkoi performancë më të lartë nga efektivët, duke nënvizuar se kushtet e reja të punës kërkojnë shërbim më cilësor për qytetarët, ndërsa u kërkoi strukturave të Policisë Rrugore zbatim rigoroz të detyrave, me fokus përdorimin e teknologjisë për evidentimin e shkeljeve.
