KRUJË- Në zemër të pazarit karakteristik të Krujës, mes aromës së drurit të vjetër dhe ecejakeve të turistëve, prej 48 vitesh Dëshira Maja punon qilima e velenxa apo edhe çanta me motive dhe ngjyra shqiptare.
Ajo nuk ndalon edhe ndërsa flet për ekipin e ATSh-së në lidhje me punën e saj. Duart i lëvizin në ritet që ajo i ka trashëguar nga breza të familjes së saj. Mjeshtëria e artizanes për të nuk është vetëm zanat, por edhe përcjellje e traditës dhe kulturës.
Dëshira thotë se e ushtron këtë zanat që prej kohës së komunizmit, ndërsa i vetmi detaj që ka mbetur i pandryshuar është stili i punës: klienti zgjedh modelin e preferuar, ndërsa ajo e materializon në vepër arti që trashëgohet ndër breza.
Prej më shumë se katër dekadash, në dyqanin e saj të vogël në hyrje të Pazarit të Vjetër të Krujës, ajo “thur” qilima tradicionalë, me ngjyra të forta dhe motive të rralla, ndërsa çdo copë mbart një histori për t’u rrëfyer.
“E kam nisur që në moshë të vogël, sepse është një profesion që e kam trashëguar nga mamaja ime. Nëna ime më mësoi gjithçka nga ky proces pune që kërkon durim të jashtëzakonshëm. Nga përzgjedhja e leshit, ngjyrosja me metoda tradicionale, deri tek endja fije pas fijeje, çdo qilim mund të marrë javë apo edhe muaj për t’u përfunduar. Motivet që unë përdor janë kryesisht të zonës së Krujës, me simbole që lidhen me natyrën apo traditën”, shprehet Maja.
Dëshira u shpreh se për të ndërtuar një qilim, si fillim duhen tri persona, një që rri pas makinës së tezgjahut dhe mban fijet, dy të tjerët para.
“Pastaj bëj endjen dhe iliqet. Pas tyre, lidhim pedanet me këmbëzat dhe fillojmë prodhimin e qilimit”, vijoi ajo, ndërsa thekson se për një metër katror qilim duhen tetë orë pune të plota në ditë.
Dëshira, në kufijtë e keqardhjes shpreh edhe pamundësinë për ta trashëguar këtë zanat të rrallë, pasi ka vetëm dy djem, ndërsa te brezi i ri, ajo thotë se ka rënë interesi apo dëshira për të mësuar këto profesione të vështira por shumë të bukura.
“Vajzat e reja sot bëjnë shkollë të lartë, unë kam dy nuset e djemve që kanë shkollë të lartë dhe nuk përfshihen në punën time”, tha Maja.
Sa i takon çmimeve, artizania tha se ato variojnë sipas vështirësisë së modelit, nga 8 mijë lekë deri në 12 mijë lekë të reja.
“Unë kam realizuar thuajse të gjithë qilimat për Muzeun e Krujës, atë Etnografik, për muzetë në Tiranë. Nuk do lodhem asnjëherë së bëri këtë zanat”, tha Maja. Në krah të saj, qëndron edhe i shoqi, Sali Maja, një 70-vjeçar që pas daljes në pension, zgjodhi që të jap ndihmesën e tij në biznesin familjar.
“Unë kam punuar punëtor hekurkthyes, magaziner, dispeçer, të gjitha zanatet i kam bërë. Tani vijë këtu dhe ndihmoj gruan. Puna që bëj unë janë bifkat e leshit, që vendosen sipas modelit të qilimit. Unë rri 10 orë në ditë këtu në dyqan sepse ky është biznes familjar, ndërkohë që ndihmoj dhe gruan”, tha ai.
Teksa ne zhvillonim intervistën, turistët e huaj ndalonin shpesh për të parë nga afër procesin e punës. Disa për blerje, të tjerë për fotografi, por për Dëshirën, më e rëndësishmja është që tradita të njihet dhe të vlerësohet.
Në një kohë kur prodhimet industriale dominojnë tregun, puna e artizanëve si Dëshira mbetet një dëshmi e gjallë e trashëgimisë kulturore shqiptare. Në çdo qilim që ajo përfundon, ka një copëz të jetës së saj, në zemër të Pazarit të Vjetër të Krujës./ATA
