KRUJE– Qeveria ka miratuar zonat me prioritet zhvillimi për agroturizëm, pjesë e Paketës së Maleve në Bashkitë e Krujës.
Në Krujë janë përcaktuar 5 zona për zhvillim me përparësi. Qeveria ka në proces miratimi, caktimin e këtyre zonave të cilat shikohen me më shum prioritet për zhvillimin e bujtinave dhe të agroturizmit. Po ashtu vendimet e qeverisë, disa prej këtyre zonave, përveç turizmit, i shohin si prioritare për zhvillimin ekonomik edhe industrial.
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË KRUJË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Krujë të zonave, si më poshtë vijon:
a) Zona nr.1, zonat Barkanesh, Dane – Fushë Madhe, Bojë, pjesë e njësisë administrative Krujë, me sipërfaqe 1258.65 (një mijë e dyqind e pesëdhjetë e tetë pikë gjashtëdhjetë e pesë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH të paraqitur mbi ortofoto;
b) Zona nr.2, njësia administrative Cudhi, me sipërfaqe 7712.62 (shtatë mijë e shtatëqind e dymbëdhjetë pikë gjashtëdhjetë e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH të paraqitur mbi ortofoto;
c) Zona nr.3, zonat Picërragë, Brret, Gjyre, Abaze, Krastë, Mali i Krujës, pjesë e njësisë administrative Krujë, me sipërfaqe 1917.76 (një mijë e nëntëqind e shtatëmbëdhjetë pikë shtatëdhjetë e gjashtë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH të paraqitur mbi ortofoto;
ç) Zona nr.4, zonat Halil, Virjon, Nikël, Zezë, Kurcaj, Buran, Mukaj, pjesë e njësive administrative Fushë-Krujë dhe Nikël, me sipërfaqe 2424.28 (dy mijë e katërqind e njëzet e katër pikë njëzet e tetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH të paraqitur mbi ortofoto;
d) Zona nr.5, zonat Budull, Bubq, Mazhë-Madhe, Mallkuç, pjesë e njësisë administrative Bubq, me sipërfaqe 1920.2 (një mijë e nëntëqind e njëzet pikë dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH të paraqitur mbi ortofoto.
- Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese, sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
- Llojet e aktiviteteve që do të zhvillohen në këtë zonë janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.
- Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Krujë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
