TIRANE – Në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv janë miratuar katër fusha të reja, tre për Partizanin dhe ndërrimi i tapetit të stadiumit “Air Albania”, ku do të zhvillohet finalja e madhe e kampionatit, që siç dihet është në bashkëpunim me Federatën e Serbisë dhe disa ndeshje do të zhvillohen edhe atje.
Komiteti miratoi kërkesën e Komisionit të Infrastrukturës për ndryshimin e tapetit të stadiumit “Air Albania”, si dhe ndërhyrjen në bazament, me qëllim përmbushjen e standardeve më të larta të kërkuara nga UEFA për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe finaleve të këtij kompeticioni.
Në të njëjtën linjë, Komiteti miratoi edhe projektin e paraqitur nga FK Partizani, që parashikon zëvendësimin e tapetit ekzistues të stadiumit, si dhe ndërtimin e dy fushave të reja stërvitore, në funksion të këtij eventi madhor.
Në bashkëpunim me klubin, FSHF do të realizojë investimin për të transformuar tapetin e fushës nga bar artificial në bar natyral, duke garantuar kushte optimale loje.
Gjithashtu, një prej dy fushave të reja në kompleksin Partizani do të jetë me bar natyral, e dedikuar për seancat stërvitore të skuadrave pjesëmarrëse gjatë turneut dhe tjetra me tapet artificial.
Rikujtojmë që pak muaj më parë FSHF-ja me vendim të Komitetit Ekzekutiv mbuloi shpenzimet e Partizanit për hotelin e ri të klubit.
Këto investime përfaqësojnë një hap të rëndësishëm në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare dhe në rritjen e kapaciteteve infrastrukturore të vendit, duke konfirmuar angazhimin e FSHF-së për organizimin me sukses të finaleve të Europianit U-21 2027.
Punimet pritet të nisin së shpejti, me objektivin për përfundimin në kohë dhe në përputhje të plotë me kërkesat e UEFA.
