Fushëkrujasit do të jenë nesër mysafir në Kuçovë, ku në stadiumin “Bashkim Suljemani”, për llogarinë e javës së 17-të do të ndeshet ndaj Naftëtarit vendas.
Ndeshja ndaj kuçovarëve konsiderohet e rëndësishme për Ilirinë, dhe marrja qoftë dhe një pike, për vetë pozitat që ka skuadra fushëkrujase në renditje, konsiderohet pozitive.
Sipas trajnerit, Fatmir Sala, skuadra në ndeshjen e nesërme nuk do të ketë të gatshëm dy futbollistë, por kjo nuk do ta pengojë të arrijë objektivin.
“Do të jetë një ndeshje e luftuar nga të dy skuadrat. Gjendja e skuadrës në prag të kësaj ndeshjeje paraqitet mjaft e mirë. Pavarësisht ndonjë mungese që kemi në skuadër, jam optimist se skuadra do të zbresë në fushën e lojës për të marrë rezultat pozitiv.”- thotë mes të tjerash trajneri Sala, që lën të kuptohet se dhe barazimi do të jetë rezultat i kënaqshëm.
Në vijim të kalendarit, pas ndeshjes me kuçovarët, për skuadrën fushëkrujase kalendari rezervon ndeshje të vështira. Një javë më pas do të presin në fushën e tyre Vorën kryesuese dhe më pas në transfertë do të ndeshen ndaj Velecikut në Koplik.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

