KRUJË – Policia e Krujës jo vetëm që arrestoi pa fakte dhe prova 5 persona të pafajshëm (4 nga të cilët janë liruar dje) për operacionin e koduar “Tuneli” i zhvilluar me 17 mars, por gjithashtu trumbetoi një aksion të dështuar teksa në krah të një “shtëpie bari”, ndodheshin edhe 5 të tjera.
Të arrestuarit ishin H.Selimi 61 vjeç, R.Halili 58 vjeç, A.Selimi 21 vjeç dhe dy elektriçistët e OSHEE në zonë E.Halili dhe O.Farruku. Policia i arrestoi të pestë nën akuzat e kultivimit të bimëve narkotike, vjedhje e energjisë elektrike, organizim i lojërave të fatit dhe shpërdorim detyre.
Por ditën e hënë, kur dolën për masë sigurie para Gjykatës së Krujës, të gjithë këta persona u lanë të lirë me masë sigurie detyrim paraqitje. Edhe Prokuroria kërkoi lirimin e tyre, kërkesë që u pranua nga togat e zeza.
Emisioni Uniko nga Spartak Koka siguroi vendimin për dhënien e masës së sigurisë dhe aty evidentohet se asnjë prej 5 të ndaluarve nga policia nuk ka akuzën e kultivimit të bimëve narkotike, por vetëm për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi. Gazetari Koka, i cili ishte në zonën e Krastës në Krujë, zbuloi se në të vërtetë janë 5 tunele që kanë shërbyer për kultivim droge dhe jo 1 siç ka njoftuar Policia më 17 Mars.
“Ajo që ishte më flagrante akoma më tej në këtë marrëdhënie të tendosur mes policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës, është vlerësimi i paligjshëm i arrestit për 4 nga 5 personat e arrestuar nga strukturat e policisë dhe të përcjella në media me kaq shumë pompozitet. Gjykata ka vlerësuar të paligjshëm arrestin në flagrancë të R.Halilit, H.Selimit, O.Farrukut dhe të E.Halilit.
Ka konsideruar të ligjshëm vetëm arrestimin e A.Selimit 21 vjeç dhe jo për akuzën e kultivimit të bimëve narkotike por për organizimin e lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme. Dhe gjithë ky operacion policie tashmë me gjithë këto zhvillime të cilat dhe në media nuk janë bërë publike, ka patur një terr të informacionit tërësisht dhe tashmë kuptoni dhe ju përse Policia e Shtetit dhe Policia e Krujës nuk ju përgjigj pozitivisht ftesës për të ardhur dhe për të na prezantuar prova e fakte apo të dhëna të tjera në lidhje me këtë operacion të cilin ata e konsideruan të suksesshëm.
Sigurisht është e suksesshme të shkatërrosh laboratore të tilla, por është e padrejtë dhe e paligjshme të arrestosh njerëz totalisht pa prova e pa fakte e t’i fusësh në burg si kultivues të bimëve narkotike dhe të ngresh ndaj tyre 3 apo 5 akuza dhe mos paraqesësh në Prokurori dhe në Gjykatë asnjë provë e cila do të vërtetojë implikimin e këtyre personave në këtë veprimtari të paligjshme”, thotë gazetari Spartak Koka.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

