 
                KRUJË– Anjeza është 8-vjeçe dhe kur të rritet dëshiron që të bëhet mësuese. Vështirësitë ekonomike të familjes duket sikur i zbut me buzëqeshjen e saj, ndërsa sytë i rrezatojnë shpresë.
“Pasi kryej mësimet ndihmoj mamin në punët e shtëpisë. Më pëlqen shumë shkolla, por kujdesem edhe për dhitë që kemi marrë. I ushqej çdo ditë dhe po pres me padurim lindjen e kecave,” – na tregon Anjeza nga Thumana, nxënëse në klasën e dytë.
Vetëm 8-vjeçe, por vogëlushja ka një liri dhe siguri në komunikim, të pazakontë për moshën. Familja e Anjezës jeton në një prej fshatrave më të thellë të Thumanës dhe është mbështetur me dhi për të hedhur bazat e një zhvillimi ekonomik më të qëndrueshëm. Ajo është një prej 100 familjeve në Bashkinë Krujë, të goditura nga tërmeti dhe pandemia e COVID-19, që po mbështeten në kuadër të projektit “Përmirësojmë reziliencën e familjes në situata emergjente”. Projekti financohet nga UNDP dhe zbatohet nga World Vision Albania. Kjo familje u përzgjodh në këtë projekt, pasi ka potencial për të zhvilluar inpute bujqësore dhe blegtorale dhe të hedhë bazat e një ekonomie të vogël familjare e të qendrueshme.
Vera, e zonja e shtëpisë, na tregon se 10 vjet më parë familja e saj u zhvendos nga Puka në Thumanë me shpresën për një jetë më të mirë. Si çdo fillim i ri, ata hasën në shumë vështirësi. Të gjitha kursimet i shpenzuan për ndërtimin e një shtëpie të vogël.
Vera nuk ka mundur asnjëherë të gjejë një punë. Shfrytëzon ngastrën e tokës që ka blerë dhe merret kryesisht me bujqësi dhe blegtori. Familja jeton me të ardhurat që siguron bashkëshorti i saj, i cili punon herë pas here në ndërtim.
“Punë të vazhdueshme nuk kemi. Jemi 5 persona dhe jetojmë me 5 mijë lekë ndihmë ekonomike që na jep shteti. Kemi pak tokë, një lopë dhe disa pula. Tani na kanë dhënë edhe dy dhi, të cilat na kanë ardhur në ndihmë,” – na tregon ajo.
Vera ka një histori të suksesshme në rritjen e dhive. Në Pukë, ku banonte deri para 10 vitesh, kishte arritur të krijonte një fermë. Terreni i vështirë i zonës, braktisja e fshatit nga banorët e tjerë dhe mungesa e shërbimeve elementare si rruga, shkolla dhe spitali; e detyruan familjen e saj që të zhvendosej në Thumanë. Plani i Verës është që të shtojë sërish tufën dhe të hedhë bazat e një ekonomie të qendrueshme që siguron të ardhura të kënaqshme për familjen e saj.
“Në Pukë kisha 200 krerë dhi. Kishin shumë lodhje, por na siguronin të ardhura të mjaftueshme. Fshati u bë i pabanueshëm dhe u detyruam të largoheshim, pasi menduam për të ardhmen e fëmijëve. Dhitë kam dëshirë që t’i shumoj sërish. Dua t’i kem për keca, qumësht dhe djathë,” – na thotë Vera.
Tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit 2019 i shkaktoi disa dëme të lehta në banesë, por Vera thotë se “Zoti e ka mbrojtur familjen e saj nga koronavirusi”. Ajo sheh me sytë drejt së ardhmes, me shpresën për një jetë më të mirë për fëmijët e saj. Anjeza një ditë synon që të bëhet mësuese. Vera vetë nuk ka patur mundësi të shkollohet, por po përpiqet për të realizuar ëndrrën e vajzës së saj.
“Do punoj me mish dhe me shpirt që fëmijët të kenë një jetë më të mire se e imja,” – e mbyll rrëfimin inkurajues nëna e Anjezës.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."


 Kruja.info
                    Kruja.info                 
         
        