Foto gjatë operacionit të Policisë Korçë.
KORÇË– Një 35-vjeçar është arrestuar nga Policia në kuadër të operacionit të koduar “Remote”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të minave me telekomandë.
Pas një hetimi 6 mujor është është finalizuar faza e dytë e këtij operacioni, ku u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. C., 35-vjeç, banues në fshatin Rrilë, Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas do të tentonte të shiste mina me telekomandë, të cilat dyshohet se mund të përdoreshin në veprimtari kriminale në qytetin e Korçës, u organizuan shërbimet, u bë i mundur lokalizimi i personit dhe kapja e tij në vendin e quajtur “Enkelana”, në Pogradec. Gjatë kontrollit të ushtruar nga forcat e policisë mjetit tip “Mercedes-Benz”, që ky shtetas drejtonte, në bagazh u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksploziv plastik C4.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

