ROMË– Policia italiane ka arrestuar ditën e sotme 4 shqiptarë në zonën e Barit, pasi dyshohen se kanë mbledhur dhe kanë dërguar para për financimin e veprimtarisë terroriste të imamit të një xhamie në Kavajë, Genci Balla, i dënuar me 17 vite burg për rekrutimin e dhjetëra luftëtarëve të dërguar në Siri.
Në arrest shtëpie kanë përfunduar Yljan Muça, 31-vjeç, Roland Lleshi, 37-vjeç, Elsio Ramku, 33-vjeç, Roland Belba, 37-vjeç.
Yljan Muça ishte personi në krye të skemës së grumbullimit të parave për të financuar terrorizimin. Lleshi dhe Ramku kishin rolin e ndërmjetësit dhe Roland Belba, që sipas mediave fqinje është kunati i Muçës, në bashkëpunim me 2 persona të tjerë në Shqipëri, i transferonte paratë, siç është zbuluar në një rast, në një çantë dore të fshehur në një kamion në bordin e një trageti. Sipas autoriteteve italiane, me paratë e grumbulluar nëpërmjet rrjeteve sociale përfshi dhe WhatsApp, grupi i Genci Ballës do të kryente akte terroriste.
Operacioni i koduar “Ushtari i padukshëm” nisi hetimet në prill të 2020 nën bashkëpunimin e Drejtorisë së Policisë së Parandalimit të terrorizmit të huaj e Drejtorisë së Anti-mafias e anti-terrorizmit të Barit e Cuneo. Hetimet e bazuara në teknikat moderne të monitorimit të komunimit në ëeb, kanë identifikuar se katër shqiptarët mbështesnin propagandën xhihadiste dhe kanë gjetur priva si shpërndanin komunikata e dokumente të përkthyera në shqip të ish-liderit të Shtetit Islamik Abu Bakr Al Baghdadi e zëvendësuesit të tij Ebu Ibrahim El Hashimi El Kureshi. Dokumentet në shqip redaktoheshin nga imami shqiptar i dënuar, Genci Balla.
Gjatë hetimeve, u zbulua se si ky grup e konsideronin COVID-19 si “një ushtar i vogël i Allahut” i dërguar për të ndëshkuar perëndimorët. Hetimi në Shqipëri për grupin e imamëve të vetëshpallur u drejtua nga prokurorja Elizabeta Imeraj dhe Gledis Nano, asokohe kreu i Anti-Terrorit, sot Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Aktualisht Genci Balla ndodhet i izoluar në regjimin “41-BISS”, për shkak të rrezikshmërisë që paraqet.

Genc Balla
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

