Foto ilustruese.
DURRËS– Policia e Durrësit ka arrestuar ditën e sotme 2 persona në kuadër të operacionit policor të koduar “Green mail 3”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit E. H., 22 vjeç dhe E. H., 28 vjeç, të dy banues në Durrës, pasi u kapën nga shërbimet e DVP Durrës, menjëherë sapo kanë terhequr nga Dega Postare Durrës, pakon me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, në formë çokollate, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një automjet tip “Hyundai” dhe 2 aparate celulare.
Nga veprimet hetimore rezulton se shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë trafikuar nëpërmjet postës, pakon me kanabis, nga Belgjika në drejtim të Shqipërisë. Vijon puna nga Njësia per Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në të.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme. Ky është operacioni i tretë policor i finalizuar brenda 3 muajve të fundit, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet postës, nga shtete të ndryshme.
“Green mail” u finalizua më 30 qershor 2022 dhe rezultoi me sekuestrimin e rreth 1.3 kilogramëve kanabis, të sjella nga Mbretëria e Bashkuar dhe vënien në pranga të 2 shtetasve, ndërsa “Green mail 2”, u finalizua më 18 gusht të po këtij viti dhe si rezultat i tij u sekuestruan 2 pako me kanabis, të sjella gjithashtu nga Mbretëria e Bashkuar, si dhe u vunë në pranga 2 shtetas të tjerë.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

