KRUJË– Një efektiv policie është plagosur ditën e sotme gjatë kontrolleve për kanabis.
Policia njofton se gjatë kontrollit në Malësinë e Krujës, në një terren shumë të vështirë malor, janë angazhuar në total 220 punonjës policie, nga këta 100 punonjës të FNSH Tiranë, 120 punonjës të Policisë Krujë dhe strukturat operacionale të DVP Durrës, të cilët janë duke përdorur edhe 4 dronë.
Gjatë kontrollit, për shkak të terrenit shumë të vështirë malor, është dëmtuar fizikisht një punonjës i FNSH-së Tiranë, inspektor Y. S., 47-vjeç, i cili ka rënë nga një terren shkëmbor dhe ka pësuar dëmtime të shumta fizike. Punonjësi i Policisë është transportuar menjëherë në Spitalin e Traumës, në Tiranë, për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë konstatuar, gjatë kontrollit, 3 ambiente të hapuara, në zonë të pyllëzuar, në të cilat ishin kultivuar 180 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, shumica e të cilave u asgjësua me zjarr, ndërsa pjesa tjetër u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Mësohet se kontrolli po vijon ende.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

