Foto nga protesta e zhvilluar më 23 qershor 2022 në Gjykatën e Krujës.
TIRANË – Është miratuar këtë të enjte harta e re gjyqësore, duke injoruar të gjitha kritikat dhe debatet e zhilluara kundra saj.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka dalë në një konferencë për mediet, ku ka folur në lidhje me vendimin e marrë sot nga qeveria për miratimin e hartës së re gjyqësore e propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Manja: Në mbledhjen e sotme është miratuar harta e re gjyqësore. Shqipëria do të ketë 13 gjykata të Shkallës së Parë së Juridiksionit të Përgjithshëm, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 Gjykata Administrative të Shkallës së Parë.
Ministri shtoi se qytetarët do të mund t’i marrin shërbimet e tyre në të gjitha strukturat ekzistuese gjyqësore. Manja tha se implementimi i hartës së re nuk do të jetë i menjëhershëm por me faza.
Manja: Qytetarët do t’i marrin të gjitha shërbimet gjyqësore në strukturat ekzistuese të Gjykatave. Implementimi i hartës do të bëhet me faza. Më 1 shkurt do të kemi përqendrimin e Gjykatës së Apelit në Tiranë, në 1 maj do të jenë Gjykata e shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe më 1 korrik do të jetën Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë.
Manja theksoi se harta e re gjyqësore ka disa risi: ‘Do të standardizojë kohën mesatare të dhënies së vendimit, do të bëjë një shpërndarje të drejtë të çështjeve të gjyqtarët, do të ulë kostot e dhënies së drejtësisë si dhe do të ketë një short real e efikas të shpërndarjes së çështjeve të gjyqtarëve.’
Harta e re gjyqësore veç shkrirjes së disa gjykatave në rrethe, parashikon edhe shkrirjen e 5 prej gjykatave të Apelit, në vend duke lënë vetëm një të tillë në Tiranë. Po ashtu, ajo parashikon shkrirjen e 4 Gjykatave Administrative, duke krijuar vetëm 2 të tilla; një në Tiranë për Veriun e vendit dhe një në Lushnje për Jugun. Debati për hartën filloi që pas disa takime konsultative, në të cilat ajo u kundërshtua ashpër nga avokatët, për shkak se sipas tyre pengon aksesin e qytetarëve të drejtësia.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

