KRUJË– Policia e Krujës ka arrestuar një 34-vjeçar nga Kruja të shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit të koduar “Kultivuesi”.
Policia ka arrestuar shtetasin e shpallur në kërkim A. T., 34 vjeç, banues në fshatin Larushk, Fushë Krujë.
Gjykata e Shkallës së Parë Krujë i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, të kryera në bashkëpunim.
Gjatë një operacioni të zhvilluar në qershor të vitit 2021, për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në afërsi të banesës së tij, në Larushk, janë gjetur të kultivuara në dy sera, 280 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat dyshohet se 34-vjeçari i kishte kultivuar në bashkëpunim me babanë e tij.
Gjithashtu, në banesën e këtyre dy shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi prej 5 kilogramë lëndë bimore të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

