 
                KRUJË– Deri më tani, Muzeun Historik Gjergj Kastriot Skëndërbeu në Krujë e kanë vizituar rreth 30 mijë turistë.
Kështu u shpreh në një koment për Kruja.info, udhërrëfyesi turistik i këtij Muzeu, Klodjan Loka.
Loka u shpreh se ky numër është dyfishi i vizitorëve të vitit të kaluar dhe trefishi i numrit te vizitorëve të 2020.
Nga ana tjetër Loka tha se ka një sërë problemesh që shoqërojnë turizmin dhe që ndikojnë në uljen e numrit të vizitorëve dhe uljen e të ardhurave.
Loka u shpreh “Turizmi duhet parë si prioritet në Krujë qytet por edhe në zonat e tjera të bashkisë. Normalisht infrastruktura është ajo ku duhet ndërhyrë. Problem për grupet turistike të organizuara mbetet trafiku në mbikalimin e Fushë-Krujës, por edhe në qytetin e Fushë-Krujës. Në Krujë qytet mungon një zyrë informacioni turistik, dhe shqetësim është se mungojnë totalisht guidat e liçensuara lokale. Është përmirësuar parkimi, pastërtia në zonën turistike, dhe çmimet janë favorizuese”.
Kujtojmë që Muzeu Etnografik është i mbyllur deri në tetor të këtij viti për shkak të rikonstruksioneve që po bëhen.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."


 Emiranda Bajrami
                    Emiranda Bajrami                 
         
        