Saimir Jaku
LEZHË– Policia e Lezhës ka zbardhur vrasjen e ish-drejtorit të OST-së së Rrëshenit, Saimir Jaku, më 9 shtator 2016, ku mbeti i plagos edhe Gjergj Prenga.
Në kuadër të operacionit “GJURMA”, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Dorjan Keqi, 40-vjeç, lindur në Kurbin dhe banues në Krujë.
Në kuadër të hetimeve të kryera nga strukturat hetimore të DVP Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e grumbulluara, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë nxorri urdhër ndalimi për këtë shtetas, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit”.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se e ka kryer krimin e vrasjes së shtetasit Saimir Jaku, kundrejt pagesës. Porositësit e vrasjes dyshohet të jenë një grup i strukturuar kriminal që vepron në qarkun Lezhë, tashmë të identifikuar dhe nën hetim nga ana e Policisë. Për shkak të cilësisë së hetimit dhe të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk mund të bëjmë publike të dhëna të tjera për këtë çështje.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit të ndaluar Dorjan Keqi, në kuadër të operacionit policor “GJURMA”, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 21 aparate celulare dhe 6 mbajtëse të kartave SIM.
Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë e ligjor të kësaj ngjarjeje. Nga ana tjetër, strukturat e DVP Lezhë, në koordinim me strukturat hetimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, po punojnë intensivisht për zbulimin e dokumentimin ligjor të ngjarjes së rëndë të ndodhur më datë 22 korrik 2022, në Milot.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

