
Kreu i "Partisë së Lirisë", Ilir Meta, në Konventën Kombëtare të kësaj partie me 25 korrik 2022.
TIRANË– Lëvizja Socialiste për Integrim tani e mbrapa do të quhet “Partia e Lirisë”.
Ndërsa paradite shkoi të rimerrte kartën e tij të anëtarësisë, duke deklaruar se nuk ishte aty për të marrë drejtimin e LSI-së, në mbrëmje, Ilir Meta njoftoi emrin e ri, duke folur në Konventën e partisë, teksa mori edhe drejtimin e kësaj force politike. Një konventë e cila miratoi dy ndryshime në statut që i hapën rrugën pikërisht, ndërrimit të emrit, që e identifikonte qartësisht me të majtën, dhe shuarjes së strukturave drejtuese të LSI-së.
“Tani ka vetëm një rrugë, referendumi! Vetëm referendumi është garancia se Shqipëria do të jetë e shqiptarëve. Nuk ka forcë në botë që t’i blejë 3 milionë shqiptarë. Mos harroni Atdheun, fëmijët tuaj. Fëmijët tanë mund të gjejnë ccdo gjë jashtë, por Atdheu është vetëm këtu. Prandaj ju ftoj në partinë e lirisë, sovranitetit, partinë e referendumit. Partia e Lirisë dhe e të gjithë shqiptarëve. Rroftë Shqipëria e lirë dhe demokratike. Rroftë Kosova shtet i pavarur”, tha Meta.
Për emrin e ri, mund të ketë marrë frymëzim dhe nga Sali Berisha, me të cilin LSI bëri koalicionin që mbante emrin “Shtëpia e Lirisë” dhe u fut në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
Meta gjatë gjithë fjalimit të tij për rreth 1 orë, ju përmbajt toneve nacionaliste, në mbrojtje të “një atdheu në rrezik” dhe të interesave të Kosovës që sipas tij ish kryeministri Edi Rama ishte përpjekur t’i shiste. “Kam parë një rrezik të jashtëzakonshëm për sovranitetin e këtij vendi, për pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, fituar me aq mund, gjak e sakrifica, kam parë një plan të përllogaritur për të ekzekutuar pluralizimin politik në Shqipëri dhe për të patur një fasadë demokraci”, u shpreh Meta.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."