FUSHË-KRUJË- Me një donacion prej 4.5 milionë lekësh të rinj, nga administratori i një fabrike private është bërë i mundur rikonstruksioni i godinës dhe i ambienteve të Stacionit të Policisë Fushë-Krujë.
Në ceremoninë e inaugurimit, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Neritan Nallbati, theksoi se duke parë amortizimin tejet të rënduar të Stacionit të Policisë Fushë-Krujë, me iniciativën e shefit të Komisaritatit të Policisë Krujë, kanë marrë kontakt me administratorin e një fabrike private, e cila ofroi me dëshirë donacion për restaurimin e godinës, për ta rikthyer atë në parametra normale.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor, Gledis Nano, është shprehur se ambientet e rikonstruktuara do të krijojnë kushte më optimale pune për punonjësit e Policisë, po ashtu edhe një pritje dinjitoze për qytetarët që vijnë dhe kërkojnë shërbime nga Policia e Shtetit. Nano falënderuar të gjithë donatorët e tjerë që kanë mbështetur Policinë e Shtetit, duke i cilësuar si mjaft të rëndësishme donacionet që shërbejnë për përmirësimin e kushteve të punës të punonjësve të Policisë dhe të cilësisë së shërbimit që u ofrohet qytetarëve.
Prefekti i qarkut z. Nasto, pasi ka uruar efektivët për ambientet e rikonstruktuara, ka theksuar se tashmë jemi në një aksion të madh, atë të parandalimit të kanabisit, ndaj duhet të punojmë të gjithë së bashku për ta përmbushur këtë prioritet.
Në përfundim të ceremonisë, të pranishmit kanë vizituar ambientet e rikonstruktuara.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

