TIRANË- Dita e sotme shënon 11-vjetorin e protestës së përgjakshme të 21 janarit 2011 përpara kryeministrisë, ku mbetën të vrarë 4 persona.
11 vite më parë humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda.
Partia Socialiste organizoi një protestë të dhunshme, kaotike, në mes të së cilës Garda e Republikës qëlloi me armë zjarri mbi protestuesit.
Katër viktimat, janë shpallur ‘Dëshmorë të Atdheut’ por drejtësia për këtë ngjarje të rëndë nuk është vënë në vend.
Në 11 vjetorin e vrasjes së 4 protestuesve në bulevard përpara Kryeministrisë, Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar përgjigje Policisë për veprimet e lëna për të bërë, për ekzaminimin dhe identifikimin e armës që vrau Aleks Nikën.
Në maj të 2021 dosja e “21 Janarit” u kthye në polici për veprim, por ende Prokuroria nuk ka marrë një përgjigje. Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, që u dënua nga apeli me 1 dhe 3 vjet burg për “vrasje nga pakujdesia” .
Si nisi e gjitha?
Ishte ora 14:00, kur protestuesit përshkuan rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” deri para Kryeministrisë, pasi policia kishte ndërmarrë masat që të mos lejonte asnjë autobus më tej. Turma nisi me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë, filloi hedhja e gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të forcave të rendit.
Situata u tensionua pasi protestuesit tentuan të hynë në oborrin e kryeministrisë, ndërsa policia mbronte ambientin e brendshëm. Për një moment nisën të dëgjoheshin të shtëna armësh brenda territorit të kryeministrisë, dhe këto të shtëna lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn. Ky i fundit, pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak të Tiranës, është dërguar për kurim të mëtejshëm në Turqi, ku dhe vdiq pas disa ditësh.
Kryeministri Berisha doli në konferencë për shtyp, duke deklaruar se donin t’i bënin puç, ndërkohë që opozita u shpreh se shteti nëpërmjet Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, ka vrarë katër qytetarë të pafajshëm shqiptarë dhe ka mbytur në gjak një demonstrim paqësor, që është e drejtë kushtetuese e qytetarit.
Partia Socialiste akuzoi si urdhërues të vrasjeve kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm. Por, Berisha nuk u ndal vetëm me akuzat për PS-në, ai sulmoi ashpër Prokurorinë, SHISH-in dhe Presidentin e Republikës, të cilët, sipas tij, donin ta rrëzonin me dhunë.
Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

