KAVAJË– Një 31-vjeçar u gjet i vdekur brenda qelisë së paraburgimit në Komisariatin e Kavajës mbasditen e së mërkurës.
Në një reagim të Policisë së Elbasanit, thkesohet se 31-vjeçari është gjetur i vetëvarur në vendin e qëndrimit dhe për pasojë ka ndërruar jetë.
“Më datë 04.05.2022, në Komisariatin e Policisë Kavajë, është gjetur nga shërbimet e Policisë i vetëvarur në dhomat e izolimit dhe si pasojë ka ndërruar jetë, shtetasi i ndaluar I. M., 31 vjeç, i cili është ndaluar ditën e sotme rreth orës 15:50 pasi Gjykata kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhje.”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Babi i 31-vjeçarit ka kundërshtuar me forcë këtë konkluzion dhe është shprehur se djali nuk është vetëvarur.
“Policë qensh”, i etiketoi babi, teksa hedh akuza të forta në drejtim të instancave për vdekjen e 31-vjeçarit.
“Polici qensh. Djalin e morën paradite e akuzuan për vjedhjen e një dere alumini. Nuk më kanë thënë asgjë, unë do ta gjej”, u shpreh i ati i Ilvi Metës.
Një akt-ekspertize i siguruar më vonë nga mediet, rezultoi se 31-vjeçari, Ilvi Meta kishte edhe shenja të tjera në fyt. Sipas medieve këto shenja nuk janë nga vetëvarja që mund të ketë kryer 31-vjeçari.
Po ashtu, ish-kryeministri Sali Berisha, denoncoi nëpërmjet një postimi në “Facebook” se 31-vjeçari ishte dhunuar për vdekje nga efektivët e Policisë së Kavajës.
“Qytetari dixhital akuzon policine per dhunen e ushtruar dhe vdekjen e tij! I bej thirrje Avokatit te Popullit te verifikoje me urgjence rrethanat e vdekjes se dhunshme brenda narkokomisariatit. Denoj me ashpersine me te madhe dhunen policore ndaj te riut qe i moren jeten.”- thuhet ndër të tjera në postimin e Berishës.
Por Prokuroria e Kavajës i ka hedhur poshtë këto pretendime dhe ka mohuar se në trupin e 31-vjeçarit të ketë shenja dhune. Ndërkohë që për ngjarjen janë arrestuar edhe 3 efektivë policie. Për ngjarjen Prokuroria ka ngritur një grup hetimor dhe ka nisur veprimet në bashkëpunim edhe me Agjencine e mbikqyrjes policore.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

