SHKODËR- Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar policor “Vukpalaj”, në kuadër të të cilit u arrestua një 21-vjeçar nga Kruja.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B. 21-vjeç banues në Krujë, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ky shtetas po udhetonte me automjetin tip Kamionçinë në aksin rrugor Shkodër-Hani Hotit, dhe në vendin e quajtur “Vukpalaj”, është ndaluar nga shërbimet e Policisë pjesëmarrëse në operacion. Drejtuesi i mjetit, për t’i shpëtuar kontrollit në brendësi të kamionçinës, ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë Rrugore duke iu ofruar një shumë parash.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në automjet dhe në brendësi të tij kanë gjetur 30 shtetas të huaj nga vendet e treta (Bangladeshi), të cilët ky shtetas po i transportonte në drejtim të kufirit të gjelbër, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, në drejtim të Malit të Zi.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

