Pamjet gjatë operacionit policor.
KRUJË– Një 23-vjeçar është arrestuar ditën e sotme nga Policia e Krujës në kuadër të operacionit të koduar “Fokusi”.
Si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi Vladimir Sallaku, 23-vjeç, banues në Derven, Krujë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
Në banesën e 23-vjeçarit, shërbimet e Policisë konstatuan 2 ambiente (dhomë dhe magazinë), të përshtatura për përpunimin, tharjen dhe përgatitjen për shitje të lëndës narkotike kanabis.
Gjatë kontrolleve të imtësishme në këto ambiente, u gjetën dhe u sekuestruan në total, 58.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje, si dhe gjatë verifikimeve, në bashkëpunim me punonjësit e OSHEE-së, u konstatua se këto ambiente furnizoheshin me energji elektrike përmes lidhjeve të paligjshme.
Në vijim të operacionit, u ushtrua kontroll dhe në ambiente të tjera të kësaj banese dhe u gjet e u sekuestrua edhe municion luftarak.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të shtetasit Vladimir Sallaku.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

