KRUJË– Sot më 17 janar shënohet 555 vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Gjergj Kastrioti lindi më 6 maj 1405 dhe ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave.
Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Ai vdiq në moshën 63-vjeçare më 17 Janar 1468 në Lezhë.
Në përvjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka postuar një video të veçantë të realizuar nga shkolla të ndryshme në 12 qarqet e vendit.
Me këtë dite, Kushi bën të ditur se duke nisur nga java e ardhshme, çdo të hënë në të gjitha shkollat e vendit, para nisjes së procesit mësimor do të këndohet Himni i Flamurit.
“MIRËMËNGJESI dhe me Himnin e Flamurit që këndohet nga të gjithë nxënësit e shkollave sot, në ditën e 555-Vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti SKËNDERBEUT, si edhe me vendimin që kështu do të këndohet himni në çdo shkollë, në krye të çdo jave të re mësimore, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Kushi.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

