 
                KRUJË– Teqeja e Sari Salltikut është një teqe në malin e Krujës. Ajo është ndërtuar për nder të Sari Salltikut, i cili ishte një klerik i besimit bektashi.
Ne vitin 1967, regjimi komunist e prishi edhe kete teqe ashtu si objektet e kultit ne te gjithe Shqiperine. Teqeja e Sari Salltikut u rindertua ne vitin 1991.
Teqeja është objekti më i dashur i besimtarëve krutanë, por jo vetëm, edhe e të gjithë bektashinjve në Shqipëri. Në të hyrë të Krujës ndodhet teqja e Haxhi Shajnit (e ndërtuar 500 vjet më parë), një nga 11 teqetë e atyre anëve. Të gjithë i duan dhe i vizitojnë, të gjithë flasin, rrëfejnë dhe pohojnë se mrekulli kërkohen e mrekulli dhurohen nga vendi i mirë. Aty bekohen çifte në ditën e martesës, të porsalindur, urohet për shërim, bollëk, harmoni e dhurohet për të vobektët.
Ky vend ofron paqe pa fund dhe është kaq kompleks sa duket sikur ka aq shumë të mira të falura së bashku sa nuk i numëron dot. Në teqe e kanë për zakon të qerasin me karamele dhe kafe. Kjo do të thotë shumë për mikpritjen e shqiptarit, si në aspektin kulturor, ashtu edhe në atë fetar. Këto janë rite të këtij sekti dhe respektohen me fanatizëm. Ata rrëfejnë se falja bëhet në teqe në mëngjes dhe në mbrëmje dhe nuk kanë orare ekzakte në pesë kohë të ditës si muslimanët. Edhe pse bektashizmi ka lindur më vonë se islami ai respektohet dhe vlerësohet njëlloj në vendin tonë. Shqipëria e luftrave, shkrumbimeve, asimilimit e pushtimeve ka njohur fe të ndryshme për shkak të historisë. Këtu i gjen të gjithë e të gjitha. Sari Salltiku thuhet të ketë shkelur e të ketë lënë gjurmën e tij në Krujë në mesin e viteve 1300. Mik me Sulltan Bajazitin (thotë studiuesi francez Degrand) e gjithashtu nxënësi i Ahmed Jeseviut. Gjurma e të shenjtit ndodhet në teqen në hyrje të Krujës.
Tani ajo i përngjan një shtëpie ku udhëtarët e ardhur së largu pushojnë e madje kalojnë edhe natën nëse dëshirojnë. Ushqimet i marrin me vete. Të gjitha kushtet e tjera janë të plotësuara, madje në odë ndodhet edhe një oxhak me vatër të ndezur. Fatmirësisht në kohë të freskët vatrën e gjen të ndezur dhe ke kënaqësinë të shijosh ngrohtësinë. Oda është e mbushur gjithandej me portrete të gjyshëve. Mund të ndizen edhe qirinj, por poshtë në shpellë, e cila vetëm kur e mendon të sjell të ftohtë në lëkurë duke qëndruar brenda odës. Kafen mund ta pish edhe në ballkonin e teqes i cili është një ballkon mbi Krujë. Dhe ja tek duket Kalaja e Krujës, ashtu siç pritej. Jo vetëm kaq. Nga aty duket edhe gjithë Kruja, Fushë-Kruja, Lezha, Rinasi (Ku ndodhet aeroporti “Nënë Tereza”.), një copë Tirane, Durrësi dhe det… horizont e diell në perëndim. Duket edhe lumi i Drojës e humnera, e pafrikshme këtë herë se ndodhemi mbi re, poshtë duket si në mjegull, figura të vogla, të paqarta e të përgjumura. Pas pak fillon e bie nata atje poshtë. Lart në mal zbardh më shumë, pak më shumë. Ajri është i pastër por i lagësht. Shiu i rënë ditët e fundit e fishkulloi mirë vendin që nga malësia deri në juglindje. Dhe kur harron të çohesh i ftohti të shkund për t’u çuar nga ballkoni i Krujës e për të zbritur në shpellë.
Mali i kurbanit mban në gjirin e tij një shpellë me thellësi 20 m dhe lartësi 3-4 m. Shpella pikon ujë gjithandej, dyshemetë janë të lagura, duke zbritur nëpër shkallë vjen era myshk e në fund ndodhet burimi. Uji i tij është fatsjellës sipas bektashinjve krutanë. Po brenda shpellës, ndodhet përsëri një teqe e vogël dhe disa varre. Në të djathtë ndodhet varri i Sari Salltikut e në të majtë teqja. Këpucët duhet të hiqen, por tapeti është i lagësht, e megjithatë nuk mund të lihet pa vizituar ajo pjesë prandaj njeriu pajtohet me lagështinë. Mund të ndizen edhe qirinj. Lutjet bëhen dhe i takon të shenjtit t’i pranojë ose jo. Dikush nga mirëmbajtësit këshillon që uji të përdoret për gjellë: “Bëje darkën sonte me këtë ujë dhe shiko ndryshimin.” Këto rite e gojëdhëna duken sa të besueshme aq edhe mistike, të vërteta dhe të çuditshme. Nderimi që i bëhet të shenjtit është kurbani, zakonisht një dash, por ata që janë më të varfër sjellin një gjel dhe atë e therin kujdestarët e teqes, më pas e ndajnë në aq pjesë sa duan.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."


 Kruja.info
                    Kruja.info                 
         
        