Vetëm pak ditë na ndajnë nga data 2 mars, dhe pritet të shohim se çfarë do të “kaurdisë” këtë radhë FSHF-ja. E vetmja gjë e sigurt që do t’i serviret opinionit sportiv është një “gjellë” e shëmtuar. Ashtu siç veproi me shoqatat rajonale të futbollit, duke zgjedhur kryetarë pa kandidatë përballë, apo delegatë me të drejtë vote dhe konflikt interesi, FSHF-ja nuk di të ndalë skandalet dhe vazhdon tentativat për të mbajtur AsambIenë e Zakonshme Zgjedhore më 2 mars.
Edhe pse me pesë vendime gjykatë kundër, dhe me një Komision Verifikimi dhe Komitet Ekzekutiv të pezulluar, federata vijon t’i bjerë “murit me kokë” duke i dorëzuar kandidatëve listat e delegatëve që votojnë. Për të mos mjaftuar vetëm kjo, konfirmimi për mbajtjen e asamblesë, në kundërshtim me vendimin e gjykatës, vjen edhe nga zyrtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit që në ditët e fundit e kanë shprehur hapur në studio televizive, se zgjedhjet do të mbahen më 2 mars, në orën 11:00 në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, sipas vendimit të Komitetit Ekzekutiv më datën 21 janar, ku thirri edhe asamblenë.
Siç duket, për Aldi Topçiun, Drejtor i Departamentit Ligjor dhe Licencimit në FSHF, dhe Erand Ibrahimin, Shef i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombë-tarë dhe Projekteve, vendimet e gjykatave nuk “pinë ujë”.
GJYKATA
Me një argumentim të pikave të vendimit ku u pezullua asambleja e 2 marsit, gjykata e tha hapur që ka juridiksionin që të gjykojë dhe të japë vendime për këtë çështje, duke i referuar kallëzimeve të anëtarëve të futbollit, të cilët mendojnë se në procesin zgjedhor që të çon tek asambleja zgjedhore ka pasur manipulime. Gjykata nuk i jep të drejtë FSHF-së të bëjë zgjedhje pa u shqyrtuar të gjitha ankesat dhe paditë e anëtarëve të shoqatave.
Mbajtja e asamblesë vepër penale, çfarë rrezikon federata
Insistimi i Federatës Shqiptare të Futbollit për të zhvilluar zgjedhje më 2 mars është i qartë, edhe pse është në kundërshtim me ligjin. Po çfarë thotë Kodi, nëse një vendim i tillë gjykate nuk zbatohet? Gjykata e Tiranës thekson se moszbatimi i vendimit nga FSHF-ja përbën shkeije penale dhe moszbatimi i vendimit të gjykatës dënohet 2-3 vite burg për shkelësit. Gjithashtu, Gjykata e Tiranës ka rrëzuar dhe kërkesën e FSHF-së për pezullim të gjyqtarëve të çështjes. Ky është një tjetër vendim, i marrë pak ditë më parë, i Gjykatës së Tiranës, që konfirmon shkeljet dhe manipulimet nga ana e FSHF-së për zgjedhjet e 2 marsit dhe që i pezullon ato. Kështu që tani Asambleja Zgjedhore nuk mund të zhvillohet. Nëse Armand Duka apo drejtuesit e tjerë të FSHF-së do të tentojnë të pengojnë zbatimin e vendimit të gjykatës, sipas nenit 606, të Kodit të Procedurës Civile, dhe të nenit 320 të Kodit Penal, rrezikojnë nga 2-3 vite burg.
NË SYTË E UEFA-s
Insistimi dhe kundërshtimi i hapur i vendimit të gjykatës, thuhet edhe në sytë e UEFA-s, e cila dërgoi edhe tre ekspertë. Pasi delegacioni i UEFA-s erdhi, monitoroi situatën, zhvilloi takime edhe me kontestuesit e zgjedhjeve, ku u njoh edhe me situatën e rënduar në Shqipëri për shkak te tentativave të vazhdueshme të FSHF-së për ta paracaktuar garën, thuhet se ata kanë dërguar një raport në federatë, që me sa duket nuk publikohet pasi nuk është ai që pritej.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

