TIRANË– E sotmja është dita e Ringjalljes së Krishtit për të gjithë besimtarët katolikë. Mbrëmë në të gjitha kishat katolike të vendit u mbajt mesha e shenjtë e vigjiljes të Pashkëve, me ritet përkatëse.
Duke filluar nga ora 23:00 mbrëmë nisi mesha në Katedralen e Shën Palit në kryeqytet. Kjo është mesha e parë që zhvillohet në mesnatë pas 2 vitesh nën masat e pandemisë së COVID-19. Besimtarë të shumtë kanë mbushur Katedralen në kryeqytet për të ndjekur meshën e shenjtë.
Pashka (ose pashkët) është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike Romake dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.
Java para Pashkëve është quajtur Java e Shenjtë, dhe ajo përmban Tri Ditët e Pashkëve, që përfshijnë Të Enjten e Shenjtë, që përkujton Darkën e Fundit, Të Premten e Shenjtë, që përkujton kryqëzimin dhe vdekjen e Jezusit. Në krishterimin perëndimor, Sezoni i Pashkëve, fillon të dielën e Pashkëve dhe zgjat shtatë javë, duke i dhënë fund me ardhjen e ditës pesëdhjetë.
Ndërkohë që Kreu i kishës Katolike në Shqipëri, Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkvi Metropolit Tiranë Durrës, teksa përmendi të gjitha sfidat që jemi ndeshur vitet e fundit si tërmetin, pandeminë dhe luftën, ai bëri thirrje për të dashur edhe më shumë jetën në këto kohë të vështira.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

