Foto ilustruese.
TIRANË– Partia Socialiste ka shprehur qëndrimin e saj kundër propozimit të Partisë Demokratike për Reformën e Re Territoriale.
Kryetari i Grupit Parlamentat të PS, Taulant Balla, në fund të mbledhjes së grupit tha sot se kanë arritur në përfundimin se PS i qëndron ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe.
“Ka pasur propozime edhe për zvogëlim edhe për zmadhim të numrit. Nisur nga fakti që kanë kaluar vetëm 7 vite nga reforma e fundit. Të gjitha reformat janë përmirësuar. Ne kemi përmirësuar edhe shërbimin online. Kemi konkluduar që pozicioni ynë në komisionin e posaçëm është t’i qëndrojmë ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe.”- tha Balla nga Kryesia e Kuvendit.
Partia Demokratike e quan këtë lëvizje të socialistëve si një tallje me qytetarët.
Kujtojmë se grupimi Alibeaj në draftin e tyre të reformës territoriale, propozuan hartë të re me 92 bashki dhe 6 rajone. Nga 12 qarqe Grupi Parlamentar i PD propozon rigrupimin në 6 Rajone, që përmbledhin Rajonin Tiranë-Durrës; Rajoni Shkodër-Lezhë; Rajonin Kukës-Dibër; Rajonin Gjirokastër-Berat; Rajonin Fier-Vlorë dhe Rajonin Elbasan-Korçë.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

