KRUJË– Policia e Krujës ka zbuluar një tjetër “shtëpi bari” në kuadër të operacionit të koduar “Pëllumbi”, ku janë sekuestruar 268 bimë kanabisi, 51 llamba dhe pajisje të tjera elektrike që i shërbenin kultivimit në ambiente të mbyllura.
Si rezultat i këtij operacioni, në fshatin Qerekë, Krujë, në banesën e shtetasit Shpëtim Halili, u zbuluan 2 ambiente që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike dhe që ishin përshtatur me llamba dhe pajisje të tjera, për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Gjatë kontrolleve në këto ambiente, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 268 bimë të dyshuara narkotike kanabisi, 51 llamba, 1 aspirator, 2 ventilatorë dhe 51 rritës të energjisë elektrike.
Si rezultat i veprimeve operacionale në kuadër të këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit Shpëtim Halili, 39 vjeç (pronari i banesës) dhe Fation Halili, 32 vjeç (vëllai i pronarit të banesës), të dy banues në Qerekë, Krujë. Shtetasi Fation Halili ka kryer lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

