
Edi Rama gjatë konferencës për shtyp më 08.09.2022
TIRANË– Kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku po prezantojnë paketën e dytë antikrizë për qytetarët si dhe masat që do të ndërmarrë qeveria për të përballuar krizën energjetike.
Në paketë do të përfshihet për herë të parë rindeksimi i pensioneve brenda të njëjtit vit me normën e re të inflacionit si dhe dyfishimin e ndihmës ekonomike për gratë kryefamiljare me dy fëmijë.
Kreu i qeverisë bëri me dije se me këtë ndërhyrje paga minimale nga 32 mijë lekë do të shkojë 34 mijë lekë.
Rritje page do të ketë edhe për punonjësit e Administratës, Policisë së Shtetit dhe Burgjeve. Rama tha gjithashtu se pensionet dhe ndihma ekonomike për personat me aftësi të kufizuara do të indeksohen për herë të dytë.
“PAKETA E RE E REZISTENCËS SOCIALE për të parën herë riindekson pensionet brenda të njëjtit vit me normën e e re të inflacionit, duke e çuar në 9.5% indeksimin vjetor • Rrit me 10% mbështetjen mujore për ndihmën ekonomike dhe e dyfishon atë për gratë kryefamiljare me 2 fëmijë • Indekson me 7.5% pagesat për Aftësinë e Kufizuar dhe rrit mbështetjen financiare për energjinë elektrike për të verbërit, paraplegjikët e tetraplegjikët • Rrit përsëri pagën minimale në 34 mijë lekë dhe sjell rritje pagash për administratën, Policinë e Shtetit dhe Policinë e Burgjeve • Shton mbështetjen financiare për naftën pa taksa për fermerët, vijon mbështetjen e peshkatarëve për TVSH e naftës, konfirmon mbështetjen e mëtejshme për transportin publik dhe GARANTON MBROJTJEN E ÇMIMIT TË ENERGJISË për familjarët dhe biznesin e vogel”, thotë Rama.
Ibrahimaj tha se nga muaji shtator ne do të indeksojmë 6% të gjitha kategoritë e pensioneve dhe duke shtuar 3.3 % në prill, rritja shkon në 9.3%.
Janë 674 mijë përfitues që do të përfitojnë nga indeksimi i pensioneve. Si kosto në buxhet, parashikohet të jetë 2 mld lekë në vit, 8.4 mld lekë vitin e ardhshëm.
Nga indeksimi i pagave në sektorin publik me 7%, janë 41 mijë punonjës të administratës të cilët do të mbështeten me këtë masë.
-Indeksohen me 6% pensionet, kostoja 2 mld lekë, dhe përfitojnë 674 mijë përfitues
-Rriten me 7% pagat e administratës me kosto 713 mln lekë përfitojnë 41 mijë punonjës
-Pagat e policisë së shtetit rriten me 5560 lekë në muaj për 10800 punonjës
-Pagat e policisë së burgjeve rriten me 10548 lekë në muaj për 3600 punonjës
-Pagat eadministratës rriten me 5000 lekë në muaj për 20 mijë punonjës
-Paga minimale rritet me 7%, shkon në 34 mijë lekë në muaj dhe përfitojnë 200 mijë punonjës
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."