Shtëpia e familjes Murrja në fshatin Luz, Krujë. Pamjet Report Tv.
KRUJË– 35-vjeçarja, Esmeralda Murrja nga fshati Luz i Fushë-Krujës, rrit e vetme, në kushte tejet të vështira dy vajzat e mitura.
I shoqi është ndara nga jeta para një muaji nga një sëmundje e rëndë, duke i lënë në dhimbje e varfëri.
“Ka ndonjë natë që flemë pa ngrënë. Thesin e miellin ma falin. S’kam çfarë të ha e të pi, vajzën e madhe e kam sëmurë, me probleme të zorrëve por skam para ta çoj në spital”, shprehet Esmeralda Murrja.
Esmeralda tregon për Report Tv, se banesën ua ka ndërtuar Bashkia e Krujës para disa vitesh, por siç shihet në pamje punimet pa cilësi kanë bërë që gjithë lagështia të futet në dhoma.
E vetmja e ardhur prej 5 mijë lekësh në muaj, përkrahje sociale është e pamjaftueshme për të përballuar jetesën.
“Veç të mbytem në ujë! Nuk ia dal dot të rrish fëmijët”, shprehet mes dhimbjes, Esmeralda Murrja.
Nëna e dy vajzave të moshës 7 dhe 2 vjeç apelon për rikonstruksion e banesës dhe ndihmë financiare, pasi nuk mundet të gjejë punë në kushtet kur duhet të kujdeset e vetme për fëmijët.
“Nuk punoj dot pa u kamur fëmijët! E vogla është foshnje, vajza e madhe në klasë të parë, më duhet ta çoj dhe marr nga shkolla!”- u shpreh ajo.
*Shënim; Kush dëshiron që të ndihmojë Esmeraldën mund ta kontaktojë në numrin e saj +355 68 351 1356
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

