
TIRANË– Ditën e djeshme në një ceremoni solemne, Bajram Begaj mori zyrtarisht detyrën si Presidenti i 8-të i Republikës së Shqipërisë.
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Armanda dhe dy djemtë, Begaj hyri në parlament rreth orës 18:00, për t’u betuar me dorën mbi Kushtetutë.
Familja presidenciale iu drejtua më pas godinës së kreut të shtetit, për të marrë detyrën nga paraardhësi i tij Ilir Meta, në një ceremoni ku ishin rreth 400 të ftuar. Në ceremoni ishin figura të shquara të politikës shqiptare, diplomatë, homologë, politikanë të mazhorancës e opozitës, njerëz të medias, akademikë e përfaqësues të komuniteteve fetare.
Në minutat e fundit në detyrë, Meta, shtrëngoi duart e pasardhësit të tij e më pas kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, i dorëzoi president Begajt ligjin themeltar të Shtetit. Në fjalimin zyrtar si president, Bajram Begaj e ktheu vëmendjen nga siguria kombëtare.
Begaj pati një fjalim të paqartë, por tha se sot u betua për besnikëri ndaj Kushtetutës e ligjeve të vendit, për të respektuar të drejtat dhe liritë e shtetasve, për të mbrojtur Pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar. Presidenti Begaj tha se do të jetë shërbëtori i popullit të tij dhe do të mbështesë rrugëtimin euro-atlantik për të gjithë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Luginës së Preshevës, e kudo ata ndodhen.
Në postin e kreut të shtetit, Bajram Begaj zëvendëson Ilir Metën. Bajram Begaj, mori besimin e shumicës së deputetëve në Kuvend për të qenë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. Në seancën parlamentare të 4 qershorit 2022, Begaj u zgjodh President i ri i Shqipërisë me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim (83 deputetë morën pjesë në votim).
Kush është Bajram Begaj, karriera në ushtri deri në zgjedhjen në krye të shtetit
Bajram Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në Rrogozhinë. Në vitin 1989, gjeneralmajor Begaj ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998. Begaj ka hyrë në historinë e Forcave të Armatosura, duke u bërë mjeku i parë në ushti i cili arrin që të bëhet gjeneral major, e cila është grada më e lartë. Përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, për një periudhë tre vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneralmajor Bajram Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak Qendror Universitar; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura. Gjeneralmajor Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Ai ka përfunduar Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, Shkollën e Thelluar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë.
Gjithashtu ka ndjekur kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në SHBA, Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes, pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në SHBA, Seminarin e Lartë Ekzekutiv pranë Qendrës Marshall, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake. Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka përfunduar “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi. Njëkohësisht është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës se tij ushtarake. Gjeneralmajor Bajram Begaj flet rrjedhshëm gjuhën angleze. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."