Altin Keqi.
KRUJË– Është zbardhur dëshmia e biznesmenit Altin Keqi, pronari i shtëpisë që u sulmua me eksploziv një ditë më parë në Krujë.
Keqi është shprehur se nuk ka konflikte me askënd dhe se nuk e di se kush mund të fshihet pas sulmit.
Në dëshminë e dhënë para grupit hetimor, Keqi shprehet se as familjarët e tij nuk kanë konflikte, ndaj nuk di të thotë një emër që mund të qëndrojë pas sulmit në fjalë. Për shpërthimin, Keqi thotë se ka shkaktuar panik në familjen e tij.
“Nuk kam konflikte me asnjë person. Shikoj punën time, por të tjerët nuk paskan parë punën e vet. Personalisht por edhe familjarët e mi s’kemi pasur shqetësime. Nuk e di, nuk dyshoj te asnjë. Nuk di ca të them. Shpërthimi ishte i fuqishëm dhe ka shkaktuar panik në familje. Shpresoj që policia të mundë të zbardhë këtë ngjarje dhe të vërë në pranga autorin apo autorët. Ja lë në dorë Policisë,”- ka deklaruar ndër të tjera biznesmeni Keqi.
Lënda plasëse është hedhur nga disa persona mbi çatinë e banesës së Keqit, në lagjen ‘Borati’, Krujë. Si pasojë e shpërthimit ka patur dëme të vogla materiale. Keqi rezulton të jetë pronar i dy serviseve celularësh në zonë. Nuk dihet nëse sulmi është kryer nga konfliktet e mëparshme që mund të ketë pasur biznesmeni apo është kryer si mesazh për shkak të konkurrencës.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

