KRUJË– Kur vjen puna për turizmin malor në Krujë, ka një mori destincionesh të cilat janë ende të pazbuluara.
Së fundmi në redaksinë e Kruja.info, ka mbërritur një foto nga fshati Shretë, i njësisë administrative Cudhi, Krujë. Sikurse shihet, pamja që ofron kjo zonë është e mrekullueshme, sidomos nën “vellon” e bardhë të dëborës.

Në këtë zonë gjendet edhe mali i Kavanijes, i cili ka një lartësi prej 1421 metra. Emrin “kava nije”, mendohet se, e ka marrë nga një kavo gjigante, e cila ndodhej e varur nga maja e malit, që sipas banorëve, kjo kavo përdorej për ankorimin e anijeve në lashtësi. Specialistët dhe historianët kanë gjetur gjurmë të qeramikës dhe gurë të çmuar në majën e këtij mali, por gojëdhënat flasin se aty duhet të ketë qenë vendosur një kambanë e madhe, e cila vihej në lëvizje nëpërmjet kavos gjigante, deri në fund të malit. Maja e malit përbëhet nga dy shkëmbinj gjigant me një të çarë në formë kanioni në mes të tyre, ku mendohet se ka qenë e varur kambana. Meqë kavoja ishte tejet e trashë dhe ngjasonte me kavot e ankorimit të anijeve, banorët e kanë quajtur atë “kavo e anijes”, – një toponim i mbetur kështu edhe malit të Kavanijes.
"Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij."

